
Klubi i Premier League angleze Wolves, gjatë merkatos së verës, ka tentuar të afrojë një futbollist me precedentë penalë në të kaluarën.
Sipas asaj që ka raportuar “The Sun”, thuhet se Wolves ka punuar për të marrë në skuadër mbrojtësin portugez, Ruben Semedo. Deri këtu është gjithçka në rregull, por e kaluara e futbollistit tregon se ai është me precedentë penalë.
27-vjeçari u arrestua në Spanjë në vitin 2018 dhe u shpall fajtor për një mori veprash penale, si grabitje, sulm, rrëmbim dhe posedim i një arme zjarri.
Asokohe lojtari i shpëtoi paraburgimit, pasi pagoi një garanci prej 30 mijë eurosh. Në korrik të 2020, Gjykata e Valencias vendosi t’i ndalonte lojtarit portugez hyrjen në Spanjë për 8 vite.
Megjithatë pavarësisht kësaj, te Wolves nuk e kanë marr në konsideratë të kaluarën e lojtarit dhe u përpoqën ta afrojnë në skuadrën e tyre, por kjo nuk u realizua, pasi për shkak të ngjarjeve të ndodhura në të kaluarën, Britania e Madhe nuk jep një leje pune për Semedon.



