Kupa e Botës FIFA 2026 nis sot, duke shënuar edicionin më të madh në historinë e futbollit.
Për herë të parë, turneu do të zhvillohet në tre vende njëkohësisht , Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë – ndërsa do të marrë pjesë një numër rekord prej 48 kombëtaresh dhe do të luhen 104 ndeshje gjatë gjashtë javëve të garë, njofton BBC.
Sipas një parashikimi të kompanisë së shërbimeve financiare Macquarie, Botërori 2026 pritet të jetë edhe ngjarja më e madhe e basteve sportive në histori, me mbi 50 miliardë dollarë të vendosur në nivel global gjatë zhvillimit të turneut.
Meksika, e cila e ka organizuar më parë Kupën e Botës në vitet 1970 dhe 1986, do të presë ceremoninë hapëse dhe ndeshjen inauguruese mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin legjendar Azteca në Mexico City. Takimi do të nisë në orën 21:00 me orën shqiptare, ndërsa ceremonia e hapjes do të zhvillohet pak para fillimit të ndeshjes.
Kanadaja do të debutojë si vend mikpritës i Kupës së Botës më 12 qershor me sfidën ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Toronto, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të hyjnë në garë po atë ditë me ndeshjen kundër Paraguajit në Los Anxhelos.
Shifra prej 50 miliardë dollarësh në baste do të përfaqësonte një rritje të ndjeshme krahasuar me 35 miliardë dollarët e regjistruar gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar.
Megjithatë, organizatat që merren me parandalimin e varësisë nga lojërat e fatit kanë ngritur shqetësime, duke paralajmëruar se interesi i lartë për bastet gjatë turneut mund të shtojë problemet që lidhen me këtë fenomen.
Spektakli artistik pritet të sjellë yje ndërkombëtarë si Shakira, Burna Boy, Katy Perry, Blackpink, Rema, Anitta dhe shumë të tjerë, duke e kthyer Botërorin 2026 në një festë globale të sportit, muzikës dhe kulturës.



