
Spanja mposhti ditën e djeshme Italinë, në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve. Në lidhje me këtë fitore të skuadrës së tij, trajneri i spanjollëve, Luis Enrique, është shfaqur shumë i lumtur, duke thënë se tani po mendojnë të fitojnë edhe finalen, për të marrë më pas trofeun.
“Ishte një ndeshje shumë e bukur, ndërmjet dy rivalëve shumë të mëdhenj që hodhën në fushë armët e tyre më të mira. Edhe një herë krijuam shumë raste të rrezikshme ndërsa bëmë një presion të mirë, jemi shumë të lumtur për atë që dhamë në fushë, tani të fitojmë këtë trofe”, theksoi tekniku spanjoll.
Në krahun tjetër, trajneri i Italisë, Roberto Mancini nuk e bën dramë, por shton më tej se nuk i pëlqeu sjellja e tifozëve në stadium në drejtim të Donnarummas, i cili u vërshëllye gjatë gjithë takimit, për shkak të atij largimi nga Milani dhe kalimit te PSG në verë.
“Ndeshjet janë të tilla, shpesh herë episodet të kushtëzojnë, pjesa e parë mund të përfundonte 1-1. Më vjen keq vetëm sepse bëmë një gabim që në nivele të tilla nuk duhet të ndodh”. E kuqja e Bonuçi? Më duhet ta ri shoh por Leo duhet të bënte kujdes në kartonin e parë të verdhë, nuk duhet të protestonte. Vërshëllimat ndaj Donnarumma? Më vjen shumë keq. Luante Italia, nuk ishte një ndeshje për klube. Mund ta ruanin mllefin e tyre për një ndeshje të mundshme Milan-PSG. Italia është Italia, është mbi gjithçka. Këto ndeshje, pavarësisht humbjes, të bëjnë më të fortë”, u shpreh Mancini.



