
Ditën e nesërme do të luhet derbi i Milanos, mes Milanit dhe Interit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Të dyja skuadrat do të kërkojnë me çdo kusht fitoren, për të qenë më të qetë në ndeshjen e kthimit.
Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i zikaltërve, Simone Inzaghi, i cili ndeshjen e nesërme, e konsideroi si një ngjarje të bukur për qytetin.
“Do të jetë një betejë ku të gjithë do të përpiqen të mbizotërojnë mbi tjetrin, por në të njëjtën kohë ajo do të jetë një ndeshje në të cilën aspekti mendor dhe motivues do të bëjnë diferencën.
Për qytetin e Milanos do të jetë një ngjarje e bukur, por fokusi ynë duhet të jetë në fushë dhe në performancë. Kjo duhet të rrisë ndjenjën e përgjegjësisë në përgatitjen e ndeshjes në mënyrën më të mirë të mundshme. Është normale që shënimi i golave në ndeshjen në udhëtim do të ishte shumë i rëndësishëm për ne.
Gjithmonë duhet të fokusohemi në ndeshje një nga një (me radhë) duke u përpjekur të rikuperojmë energjinë fizike dhe mendore pa menduar se çfarë do të ndodhë më pas. Për të arritur objektivat kjo është e vetmja mënyrë.”, u shpreh Inzaghi.



