
Pas interesit të skuadrave me emër për Milinkovic- Savic , drejtuesit e Lazios kanë marrë një vendim që konsiderohet i parevokueshëm .
Paris St Germain , Manchester United , Milan apo Real Madridi besohet se do të ngelin me duar bosh sepse bardhekaltërit po insistojnë në qëndrimin e mesfushorit në ‘ Olimpico ‘ sepse preferojnë të mos rrezikojnë në të ardhmen me shitjen e 27 vjeçarit.
Duke iu referuar kësaj çështje jetike për të ardhmen presidenti Claudio Lotito i ka dhënë fund spekullimeve :
“ Sergej nuk është në shitje. Në të kaluarën refuzuam 140 milionë euro. Nëse në të ardhmen do të ketë ndonjë ofertë tunduese jam i gatshëm ta mirëpres vendimin e tij “, theksoi italiani.
Lazio mund të konsiderohet një ekip i privilegjuar sepse Sergej Milinkovic- Savic është një ndër ato lojtarë për të cilët duhet të sakrifikosh dhe e ka treguar në vitet e fundit se mbetet shumë i rëndësishëm për skemat e Maurizio Sarrit .
Shtatë sezone tek italianët jo vetëm që e kanë shëndërruar në një prioritet për klubet më të famshëm por një aset të çmuar të Lazios dhe drejtuesit besojnë maksimalisht tek aftësitë e tij në funksion të sukseseve të mëtejshme .
Një klub me kaq histori si Lazio nuk mund ta linte pa zgjidhur këtë çështje duke ia mbyllur kështu gojën pretendentëve por njëkohësisht e penalizon disi progresin e Sergej- Milinkovic Savic , lojtar i cili prej shumë vitesh tashmë ka deklaruar se kërkon të bëhet pjesë e një ekipi të suksesshëm.
292 ndeshje, 57 gola dhe 51 asiste janë përmbledhja e shtatë sezoneve për serbin që i ka dhënë shumë përparësi ofensivës së bardhekaltërve por mbi këtë çështje koha do ti vërë pikat mbi i pasi objektivat e palëve në fjalë natyrisht bien ndesh.
Lacialët kanë zhvilluar një sezon pozitiv dhe dy javë nga fundi ende luftojnë për pjesëmarrjen në Europe të cilën momentalisht e kanë të siguruar.



