
Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka folur për mediat, në prag të derbit ndaj Tiranës, që do të luhet këtë të mërkurë.
Kolela deklaroi se skuadra do të kërkojë me çdo kusht fitoren, por edhe nëse arrihet, çështja e titullit do të mbetet e hapur, pasi ka ende ndeshje deri në fund.
Është ndeshje e vështirë sepse përcakton fatet e sezonit se kemi diferencë 2 pikë. Të bësh këtë punë, duhet të përballesh me ndeshje të tilla. Jemi mirë, po përgatitemi mirë. Si rrallëherë nuk kemi probleme dhe mungesa si në ndeshjet e kaluara që kemi pasur. Jemi në kushte shumë të mira dhe jemi të qetë.
Nuk mendoj se në ndeshje të rëndësishme, ka rëndësi taktika. Taktika ka rëndësi por më e rëndësishme në kështu ndeshje është përqendrimi dhe mënyra si mund t’i përballosh këto ndeshje.
Sa i përket titullit, kjo ndeshje vendos nëse ne humbasim. Është matematikë e thjeshtë. E them se nëse fitojmë, kemi edhe ndeshje të tjera sepse diferenca shkon vetëm 1 pikë.
Edhe përqendrimi duhet të jetë siç ka qenë në derbet e fundit. Edhe atëherë kur kemi humbur jemi përshtatur mirë. Skuadra ime ka ardhur në rritje gjatë muajve të fundit. Është normale sepse disa lojtarë me kalimin e muajve janë pjekur dhe janë rritur. Kështu që jemi rritur shumë edhe si skuadër. Derbi mund të përcaktohet edhe nga disa episode që as unë dhe as Shehi nuk i mendojmë dot. Futbolli është i bukur sepse ka gjëra të papritura.
Kolela tha se dëshiron të përsërisë historinë me Partizanin, ndërsa shtoi se do të donte të luante një derbi të kryeqytetit si futbollist.
Historia kur Partizani shpallej kampion para 44 vitesh? Shpresoj që të përsëris historinë. Edhe nëse fitojmë nuk shpallemi kampionë, sepse kemi edhe 3 ndeshje të tjera. Kam respekt për kundërshtarin sepse është i ekuilibruar dhe i rreshtuar mirë në fushë. Duhet të përqendrohemi mirë, sepse Tirana, edhe pse ka mungesa, luan për jetë a vdekje dhe kjo është e bukura e derbit.
Unë e kam mbyllur karrierën si futbollist. Sigurisht si lojtar do të më pëlqente të luaja në derbi ndaj Tiranës. Kam qenë i keq. Vështirë se më kalonte miza pa e vrarë. Të them të vërtetën derbi është ekzaltues. Kam luajtur shumë ndeshje dhe kam drejtuar, por derbi i Tiranës është shumë special. Jam i bindur se dy skuadrat do të japin maksimumin dhe do të jetë ndeshje e bukur.



