Sekretari i Përgjithshëm në Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, është shprehur se është i lumtur që Italia kaloi në finalen e Europianit, por në rast se luajnë kështu edhe në finale atëherë do kenë shumë vështirësi. Në emisionin “Euro Zone” në MCN TV, Shulku ka thënë se skuadra e Mancinit kishte probleme në mbrojtje dhe në sulm.
“Unë jam tifoz me Brazilin, por sot isha me Italinë. Që në fillim të Europianit doja të fitonte Italia. Mu bë qejfi që fitoi sot. Futbolli nuk luhet vetëm në stadium, por luhet edhe jashtë. Pjesa më e bukur është jashtë ku tifozët shikojnë ndeshjet. Njëjtë si kur Shqipëria mori pjesë në Europian, të gjitha sheshet ishin plot. Pjesa më e bukur ishte tifozlliku që bënin tifozët në sheshe. Mendoj se verdikti ishte i drejtë sot. Fituesi nuk gjykohet. Do thoja që pavarësisht dëshirës për të kaluar, Italia nuk është bindëse. Në mbrojtje çaluan shumë, Spanja i kapi shumë herë me topa pas shpine. Në një ndeshje me Anglinë, nëse luajnë kështu do kenë shumë probleme. Pavarësisht lojës, përsëri Italia është pretendente për të fituar. Ka lojtarë që mund të japin më shumë. Nëse vazhdojnë me këtë ritëm, do e kenë shumë të vështirë. E pamë që në fillim të lojës, që do luante në kundërsulm Italia. Sulmi çaloi. Në ndeshjen e sotme Immobile ishte shumë dobët. Mund ta lërë edhe me Anglinë në finale në majën e sulmit, por nuk mund t’i japësh dorë një lojtari që nga 10 i humb 9”, tha Shulku.



