
Romelu Lukaku ka qenë një nga emrat më të përfolur në këtë merkato vere. Sulmuesi belg, ishte pranë kalimit te Interit, por këta të fundit zbuluan se lojtari ishte në bisedime me Juventusin dhe u tërhoqën nga gara.
Edhe marrëveshja me Juventusin duket e vështirë, pasi bardhezinjtë duhet të shesin sulmuesin Vlahovic, diçka që në këtë moment duket e vështirë.
Për këtë arsye, Lukaku mbetet te Chelsea, por shpëtimi mund të vijë sërish nga Serie A. Sipas raportimeve të fundit, 30-vjeçari mund të përfundojë te Roma.
Verdhekuqtë janë në kërkim të një sulmuesi dhe Lukaku është në listën e drejtuesve. Te Roma, belgu do të gjente trajnerin Mourinho, me të cilin ka punuar edhe në të kaluarën te Manchester United.
Italianët kërkojnë Lukakun në huazim për një sezon, me mundësi blerje sezonin e ardhshëm. Nuk dihet nëse kjo do të pranohet nga Chelsea, pasi londinezët duan ta shesin me çdo kusht.



