
Klubet e Kategorisë Superiore duken mjaft aktive në këtë merkato vere, ku të shumta janë ato që deri tani kanë bërë disa lëvizje. Teuta kampione ka prezantuar ditën e sotme, atë që padyshim mund të quhet edhe si afrimi më i madh në merkato deri tani, Sherif Kallaku.
Ky i fundit ishte një nga lojtarët më të spiktaur deri para një viti në Shqipëri, ku në merkaton e verës së kaluar u largua nga durrsakët për të kaluar në Kroaci te skuadra e Lokomotivës së Zagrebit. Megjithatë tashmë palët kanë arritur një marrëveshje mes tyre dhe Kallaku është rikthyer në “Niko Dovana”, ku do të qëndrojë në huazim deri në janar të vitit tjetër.
Një afrim të rëndësishëm në merkato ka prezantuar edhe Dinamo. Këta të fundit kanë zyrtarizuar ditën e sotme firmën me ish-mbrojtësin e Vllaznisë, Aleksander Isaevski. Mbrojtësi i majtë bëri mjaft mirë në sezonin e fundit në Superiore dhe tashmë në sezonin e ri do e shikojmë me fanellën e Dinamos.
Te Vllaznia ka bërë “pazar” edhe Skënderbeu. Korçarët kanë transferuar në skuadër mesfushorin Ardit Nikaj, një talent që premton shumë për të ardhmen. Gjithsesi këtu ka diçka ndryshe nga lëvizjet e para, pasi Vllaznia ka mbajtur 20% të kartonit të futbollistit në rast shitje nga Skënderbeu.



