Mesfushori kroat, Luka Modric, po luan sezonin e fundit me Real Madrid.
Kroatit i përfundon kontrata në qershor dhe klubi ka vendosur të mos rinovojë. Tashmë në moshën 38-vjeçare, Modric nuk është më në planet e madrilenëve, të cilët do e lënë të lirë në verë.
Ndryshe nga vitet e fundit, këtë sezon, Modric nuk ka qenë titullar i padiskutueshëm te Reali, me trajnerin Ancelotti, që ka zgjedhje të tjera para kroatit.
Në verë lojtari del i lirë dhe mbetet të shihet, nëse do të transferohet në ndonjë skuadër tjetër, apo do tërhiqet nga futbolli.
Mesfushori do të jetë ende kapiten i kombëtares së tij në Euro 2024 dhe më pas do të jetë koha për të nisur një aventurë të re, pas 12 sezonesh me Real Madrid, i cili investoi 42 milionë euro për ta blerë nga Tottenham.
Së bashku me Ramos, Ronaldo, Marcelo, Benzema, Kroos dhe Casemiro ai shënoi një epokë, duke fituar pesë Champions League dhe trofe të tjerë të ndryshëm, si dhe padyshim Topin e Artë 2018.



