Trajneri i Vllaznisë, Goce Sedloski, foli për mediat, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë në gjysmëfinalen e Kupës.
Sedloski deklaroi se skuadra do të kërkojë me çdo kusht kualifikimin në finale, ndërsa shtoi se objektivi i Vllaznisë, është Europa.
Janë dy ndeshje që luhen dhe kjo është vetëm e para. Jemi pak në situatë negative për humbjen ndaj Tiranës. Kjo është gjysmëfinale e Kupës dhe duhet të kemi durim. Duhet të rrisim ritmin dhe të luajmë siç dua unë. Kemi bërë analizën e Tiranës se ku kemi gabuar. Lojtarët që dalin në fushë duhet të japin gjithçka për ndeshje dhe rezultat të mirë e ta kemi të lehtë në transfertë. Pas 3 ditësh kemi kampionatin prandaj këto dy ndeshje duhet t’i luajmë në mënyrën më të mirë.
E kam ndjekur dhe parë Egnatian. Luajnë shumë mirë dhe kam parë që bëjnë futboll të bukur. Presin për rastin e kundërsulmit dhe kam thënë që duhet të pozicionohemi si duhet. Duhet të luajmë mençur dhe rezultati vjen.
Qëllimi është të kapim Europën siç kam folur me klubin. E kam thënë që çdo ndeshje është e rëndësishme. Ashtu si duam ne Europën, e do edhe Egnatia dhe ashtu jemi edhe në kampionat e jemi shumë afër. Do të jetë shumë interesante deri në fund. Duhet të mendojmë më vonë për ndeshje e ardhshme.
Do të konsistoj fort që të luajnë siç kam unë stilin. E keni parë edhe vetë ndeshjen e fundit me Tiranën që kemi pësuar një gol dhe është ironike çfarë goli pësuam. Është e vështirë të ngrihesh pastaj. Kemi provuar gjithçka por nuk shënuam por e kemi lënë pas. Nesër duhet të jemi më të mirë. Nuk guxojmë të bëjmë gabimet që kemi bërë dhe do ia dalim.
Mund të them se do të përpiqemi për ta arritur finalen. Futbollin e sotëm e dini si është. Ashtu siç besoj te fitorja, besoj se edhe trajneri i tyre beson por do të dalim fitimtarë.



