
Portugalia ka mposhtur Hungarinë në minutat e fundit me rezultatin 3-0, duke e nisur Euro 2020 me këmbën e mbarë.
Luzitanët vuajtën shumë, përballë një Hungarie që luante në shtëpi dhe stadiumi ishte plot e përplot me tifozë, pa asnjë kufizim. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa e dyta ishte tjetër histori.
Pas disa tentativave të dështuara, Hungaria gjeti golin në minutën e 80-të me Schon, por që u anulua për pozicion jashtë loje. Ishte Raphael Guerreiro, i cili 4 minuta më vonë, me një gjuajtje me të majtën, e ndal topin në rrjetë. Me fat në këtë rast, pasi topi para se të shkonte në rrjetë u devijua nga një mbrojtës hungarez.
Ky gol i dha zemër kombëtares së Santos, të cilët gjetën edhe dy herë të tjera rrjetën, me të zakonshmin, Cristiano Ronaldo. Ky i fundit fillimisht shndërroi në gol një penallti në minutën e 86-të, ndërsa në të 92-ën, i gjendur në zonë përballë portierit, nuk e kishte të vështirë të shënonte.



