
Sot në 02.00 hapet sipari i fazës gjysëmfinaliste të Kupes së Amerikës. Ashtu si edhe në fillimin e saj, Argjentina do të sfidojë sërish Kanadanë në ‘’ Meadowlands Stadium ‘’ të New Jersey, këtë herë në një kontekst ndryshe.
Të besuarit e Lionel Scalonit sigurisht konsiderohen favoritë për të kaluar në finale, por duhet theksuar edhe rritja progresive e rivalëve, të cilët u kualifikuan në një grup jo të lehtë dhe eleminuan Venezuelën nga pika e 11-metershave në çerekfinale.
As ‘’ Albicelestët ‘’ nuk e patën të lehtë kundër Ekuadorit, të cilët me Messin si lider do të tentojnë të shkruajnë përsëri historinë në këtë kompeticion.
Lisandro Martinez, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër ‘’ Trikolorëve ‘’ do të jetë në dispozicion të trainerit nga Pujato, i cili po i rikonfirmon cilësitë nën drejtimin e kampionëve në fuqi të botës.
Nga krahu tjetër, meriton duartrokitje edhe traineri i Kanadasë Jesse Marsch, i cili ka ditur të gjejë skemat e duhura në varësi të rivalëve por për këtë duel s’do të ketë të gatshëm Tajon Buchanan të Interit.
Me rëndësi për tu përmendur edhe se asnjëra nga këto dy kombëtare nuk ka lojtarë të pezulluar për shkak kartonash, një fakt shumë i rëndësishëm, sidomos në sfida të këtyre nivelëve.
Argjentina është kampionja në fuqi e Kupës së Amerikës, një kombëtare me një grup lojtarësh të uritur për sukses, të lideruar nga një ndër lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në fushë dhe në stol nga një trainer i cili i ka habitur të gjithë me rezultatet e arritura.

I pyetur në lidhje me këtë sfidë shumë të rëndësishme, gjatë konferencës për shtyp Lionel Scaloni ka deklaruar:
“ Nuk shikoj shumë diferenca ndërmjet ekipeve të Conmebol dhe Concacaf. Kanadaja është shumë kompetitive dhe e ka treguar gjatë Kupës së Amerikës “.
Megjithatë, 46 vjeçari komentoi edhe në lidhje me largimet e Felix Sanchez dhe Daniel Garnero, respektivisht nga Ekuadori dhe Paraguaji si dhe problemet e Brazilit në këtë kompeticion:
“ I jam shumë falenderues Federatës që më ka besuar. Kyçi për suksesin është që të kesh vazhdimësi dhe me kalimin e kohës rezultatet vinë. Argjentina është shembulli më i mirë “, ishin këto fjalët e Lionel Scalonit.
Ndërkohë edhe në krahun tjetër nuk ka munguar deklarata e Jesse Marsch, i cili do të ketë një detyrë shumë të vështirë kundër Argjentinës.
‘’ Argjentina ka lojtarë shumë të mirë, në veçanti Lionel Messin. Duhet të jemi të kujdesshëm në fazën defensive dhe të shfrytëzojmë hapësirat në kundërsulm. Do të mundohemi që Messi mos ta ketë topin në zotërim por gjithsesi është një privilegj të luash kundër një lojtari të tillë. Duhet të bëjmë një ndeshje perfekte sepse Argjentina përbëhet nga elementë shumë cilësorë, është një kombëtare që të bën presion të vazhdueshëm dhe shquhet për qarkullimin e topit, pa harruar se ka në përbërje portierin më të mirë në botë. Jam shumë i emocionuar sepse do të luajmë kundër kampionëve të Botërorit të Katarit “, theksoi ai.



