
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave ditën e sotme, në prag të sfidës me Egnatian. Shehi vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se kanë lojtarë cilësorë.
Sipas Shehit tani Tirana garën e ka vetëm me veten, duke parë diferencën me rivalët në kampionat.
Përballemi me një skuadër që ka bërë mirë. Edhe më përpara ka qenë me kontigjentë lojtarësh cilësorë. Çdo skuadër ka objektivat e veta, dhe gjatë rrugës objektivat ndryshojnë. Më parë objektivi i tyre ishte mbijetesa, tani mbase synimi i tyre është shmangja e zonës që mund t’i dërgojë në ‘Play-Out’. Mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse do të luajmë në fushën e tyre. Do të përballemi me një skuadër që është për tu respektuar dhe do të tregojmë maksimumin.
Sidomos këto dy javët e fundit është kjo vështirësia e karikimit të skuadrës. Distanca është relativisht e madhe me ndjekësit tanë. Gara tani është me veten tonë në këto momente dhe duhet të jemi sa më shumë kërkues, që të shfaqim më të mirën tonë. Kundërshtari ka cilësi dhe ne duhet të jemi me përqendrim maksimal.



