Tirana është finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë. Përkundër të gjithë spekulimeve, që erdhën si pasojë e ndeshjes së parë gjysmëfinale kundër Bylisit, e dyshuar si e manipuluar, Tirana ka bërë detyrën në ndeshjen e kthimit duke fituar 2-0 dhe duke u kualifikuar në finale me rezultatin e përgjithshëm 3-2.
Në Selman Stërmasi bardheblutë zhbllokuan shumë shpejt, pasi gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e pestë me Ernest Muçin, futbollistin që i dha një pikë shumë të rëndësishme në limite klubit në derbin me Partizanin.
Ndërkohë me kalimin e minutave Hoxhallari do të dyfishonte sfidën, ndërsa në pjesën e dytë Tirana e menazhoi mirë kohën, duke prerë biletën për në finale. Tani bardheblutë do të ndeshen me fituesen e çiftit Teuta-Kukësi, që luhet sonte në orën 20:45. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar 0-0.



