Zinedin Zidane nuk do të jetë më trajner i Real Madrid. Francezi e ka komunikuar këtë vendim të tijin këtë të enjte përmes një konference për shtyp të paparalajmëruar. Përpara gazetarëve, tekniku francez ka shpjeguar këtë vendim të tijin duke u shprehur se "kam arsyet e mia".
“Mora vendimin për të mos vazhduar si trajneri i Real Madrid, fola me presidentin për atë që mendoja dhe arsyet e mia. Mendoj se ishte momenti për të gjithë, për mua, për klubin. E di që është moment i veçantë por mendoj se është momenti më i mirë për të gjithë. Ajo që mendoj është se ky ekip duhet të vazhdojë të fitojë dhe ka nevojë për një ndryshim, për një metodologji tjetër stërvitjeje e pune, ndaj mora këtë vendim, pasi e dua shumë këtë klub", deklaroi Zidane.
Zizu mori drejtimin e skuadrës merengues rreth 2 vite gjysmë më parë, duke i udhëhequr drejt rekordit absolut të fitimit të 3 Champions League radhazi, si dhe një titull në La Liga një Superkupë të Spanjës, një Superkupë të Europës dhe 2 Botërorë Klubesh, duke u futur në historinë "Los Blankos".
Ndërsa presidenti i skuadrës madrilene, Florentino Perez, ka thënë se janë të befasuar me vendimin e Zinedine Zidane, por i dëshirojnë më të mirën.
“Ishte vendim i papritur. Është ditë trishtuese për ne, për tifozët, për gjithë klubin”, tha Perez.



