
Trajneri Ardi Behari, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, për fitoren e Partizanit ndaj Vllaznisë, me rezultatin 2-1.
Sipas tij, të kuqtë në fillim e çuan ndeshjen atje ku ata donin dhe ia dolën të shënojnë, duke e mbyllur pjesën e parë shumë mirë.
Behari deklaroi se në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka, kjo edhe për shkak të Vllaznisë, që ndryshoi skemën, por edhe për lëvizjet te Partizani, kur kaluan në 4-3-3.
Pjesa psikologjike e derbit, u reflektua në 10 minutat e para të Partizanit. E filluan ndeshjen shumë keq. Vllaznia rrezikoi në fillim dhe Partizani nuk po dilte dot nga gjysmëfusha. Me kalimin e kohës, Partizani doli në lojën e tij. Të kuqtë e çuan lojën atje ku donin vetë, me Vllazninë, deri sa arritën të shënonin. Është ndeshja e parë që shikoj Da Silvën, që shpërdoron raste. E mbyllën pjesën e parë shumë mirë.
Një vesh ishte te ndeshja në Laç, për të mësuar rezultatin atje të Tiranës. Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë, edhe për shkak të Vllaznisë. Shkodranët bënë ndryshime, ndërsa ndryshuan edhe sistemin e lojës, në 4-2-4. Prodhuan lojë dhe kishte pak presion, rrezikuan.
Partizani ia komplikoi vetes jetën, me një ndërrim taktik të rreshtimit, duke dalë me 4-3-3. U barazua mbrojtja e Partizanit me sulmin e Vllaznisë. Vuajtën shumë, por u zgjidhën për meritë të mbrojtësve, por edhe për mungesë të saktësisë të lojtarëve të Vllaznisë, sepse rastet ishin flagrante. Kolela e korrigjoi në minutat e fundit dhe e riktheu skemën 3-5-2.



