Pasi dështuan në eliminatoret e Champions League, aty ku u eliminuan nga Sheriff Tiraspol, Teuta tashmë do të kërkojë të ecë sa më shumë në Conference League, aty ku ditën e nesërme do të përballen në turin e dytë ndaj skuadrës nga Andorra, Inter Escaldes. Në prag të kësaj sfide, për mediat ka folur trajneri i durrsakëve, Edi Martini, i cili është shprehur se skuadra është munduar të riparojë problemet e shfaqura në Champions League. Gjithashtu ai tha se e kanë studiuar kundërshtarin, falë ndeshjeve që luajtën në Shqipëri pak javë më parë.
“Situata është mjaft e mirë. Ndeshja e parë me Tiraspolin këtu, na vuri në dukje disa probleme që u munduam t’i riparojmë, në ndeshjen e dytë dhe gjatë javës këtu. Gjendja është e mirë, përveç Lorenco Vilës që ka dëmtim, pjesa tjetër është mirë dhe jemi në gjendje optimale.
Rivalin e njohim, falë atyre dy ndeshjeve që kanë bërë në Shqipëri. I kemi parë. Duhet të bëjmë atë që dimë më mirë të bëjmë, të mos merremi shumë më mënyrën e lojës së kundërshtarit, por të bëjmë mirë lojën tonë: mënyrën e daljes në sulm apo përqendrimit maksimal që duhet të kemi në fushën e lojës. Shpresoj t’ia dalim. Pothuajse 90% është i fiksuar formacioni, por mund të ketë ndonjë ndryshim deri nesër. Vila na ka nxjerrë disa probleme me mungesën e tij. Megjithatë, edhe lojtarët e tjerë do mundohen të bëjnë më të mirën, edhe ata që mund të futen si zëvendësues.”, tha trajneri i Teutës.
Martini e pranon se skuadra e tij vjen si favorite në këtë sfidë, por thotë se kjo nuk tregon asgjë, duke shtuar se diferencën e bën shpirti garës.
“Në letër kemi shanse shumë për t’u kualifikuar, por letra nuk është gjithçka. Pavarësisht cilësive tona dhe të kundërshtarit, duhet të jemi 100% të mobilizuar në fushë. Është një ndeshje e fortë, e luftuar, të gjithë dinë të mbrojnë dhe të kundërsulmojnë mirë. Shanset janë më tepër për ne, por shpirti i garës bën diferencën. Do doja të mbyllnim llogaritë e kualifikimit që në ndeshjen e parë, por janë dy ndeshje për t’u luajtur. Të bëjmë sa më mirë ndeshjen e parë, por nuk duhet të mendojmë që mund t’ia dalim që në ndeshjen e parë, pasi janë dy ndeshje të vështirë. Ne kemi treguar gjatë gjithë vitit profesionalizëm, pavarësisht së nuk kemi pasur mbështetje për shkak të Covid-it. Shpresoj që tifozët të jenë sa më të shumtë nesër, pasi realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre, dhe ishalla ua shpërblejmë”, përfundoi Edi Martini.



