
Sezoni aktual i Leroy Sanes është një ndër më të rëndësishmit në karrierë.
Gjermani po zhvillon të pestin me Bayern Munchenin, e ardhmja e të cilit në ‘’ Allianz Arena ‘’ nuk është e sigurtë.
Nga ky fakt kanë vendosur të përfitojnë drejtuesit e Tottenham Hotspurit, të cilët e konsiderojnë një objektiv për merkaton e verës.
Duke qenë se sulmuesi nuk e ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës, sigurisht i avantazhon ‘’ Gjelat e Londrës ‘’ për ta transferuar në ‘’ White Hart Lane ‘’.
Në të shkuarën 29 vjeçari provoi veten tek Manchester City për sa i përket Premier Leagues dhe parashikohet se riadaptimi nuk do të ishte aspak i vështirë, gjithmonë nëse do të veshë bluzën e londinezëve.

Traineri Ange Postecoglou beson se me Leroy Sanen Tottenhami do të jetë edhe më agresiv në repartin e avancuar, duke qenë se është një lojtar shumë teknik, i shpejtë dhe efikas sidomos në duelet një kundra një.
Për drejtuesit e bavarezëve interesi i ‘’ Spursave ‘’ është një sinjal se duhet të japin maksimumin për të siguruar qëndrimin në ‘’ Allianz Arena ‘’, për të mos prishur ekuilibrat e krijuar në ofensivë.
7 gola dhe 2 asiste në 22 sfida numëron nxënësi i Vincent Kompany-s në sezonin aktual, i cili nëse do të largohet në fundin e sezonit do të jetë me parametër zero.



