
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, foli për mediat, në prag të derbit ndaj Partizanit, që do të luhet këtë të mërkurë.
Shehi foli për mungesat që do të ketë skuadra e tij, ndërsa shtoi se lojtarët që do të jenë në fushë, duhet të jenë shumë të përqendruar.
Dihet që mungesat janë prezente me lojtarët që janë të dëmtuar. Pjesa tjetër është e gatshme. Abazaj nesër është në gjendje të jetë i gatshëm për skuadrën. Mungesat janë të rëndësishme, janë lojtarë që njëri është golashënuesi i skuadrës, të tjerët janë pjesë shumë e rëndësishme si Hila, si Behiratche. Por këto janë gjëra që ndodhin dhe ne kurrsesi nuk mund të qajmë mungesat. Do të hedhim në fushë lojtarët që janë të gatshëm për t’i zëvendësuar dhe që të luajnë atë shansin e tyre.
Nuk e di nëse është avantazh ose disavantazh barazimi. Skuadrat kanë specifikën e vet, renditjen, kanë grupin të plotë ose jo, kanë anën psikologjike. Unë mendoj se pas kësaj janë dhe tri ndeshje të tjera të rëndësishme, për objektivin final. Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë në këtë moment të kampionatit në këto pozita. Në vendin e parë dhe në finalen e Kupës. Por janë shumë pak ditë, dhe këto ditë janë ato që i japin frytet e djersës që ke derdhur gjatë gjithë vitit. Shpresoj që të jemi në më të mirën tonë, sepse duke qenë në më të mirën tonë, atëherë edhe rezultati është më afër, por kjo do dhe pak fat, që shpresoj ta kemi ne nesër.
Tekniku bardheblu kërkoi të ulë presionin, duke thënë se ndeshja nesër nuk do të përcaktojë skuadrën që fiton titullin kampion, pasi ka edhe sfida të tjera deri në fund.
Unë do të firmosja për lojtarët e mi që të japin më të mirën. Që të futen në fushë për atë që po bëjnë. Dhe pavarësisht mungesave do të kërkoja një skuadër që ka kurajë, ka karakter, që futet në fushë për të dhënë më të mirën e vet dhe për të shijuar momentin. Kjo për t’i ulur presionin, pasi presioni është i pranishëm në çdo derbi, por është mirë kush e menaxhon. Nëse ke anën emocionale në doza të larta, atëherë dëmtohesh dhe nuk e jep më të mirën tënde. Këtë do t'u kërkoja lojtarëve nesër edhe në dhomat e zhveshjes. Që sa më pak presion dhe sa më shumë krenarë dhe kurajozë për atë që po bëjnë.
Janë dhe tri ndeshje të tjera. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme vendimtare, por jo përfundimtare. Çdo skuadër shkon drejt objektivit. Në këto tri ndeshje ku çdo skuadër është brenda objektivave do të jenë të vështira. Nuk mendoj se është përcaktuese nesër se kush fiton do të vendosë titullin.
Kush e ka provuar derbin këtu nuk hyn asgjë, as renditja, as objektivat, por përqendrimi dhe rëndësia është vetëm te kjo ndeshje, sepse e dimë që derbi ka shumë pak lojë efektive, karakterizohet nga grinta, nga lufta sportive, vendoset nga episodet. Shpresoj që nesër të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Të vlerësojmë episodet, sepse në derbi episodet vendosin shumë për ndeshjen.



