
Shqipëria po përgatitet për Lojërat Olimpike dimërore të Pekinit që do të mbahen në muajin shkurt 2022. Në sportin e skive, Shqipëria do të përfaqësohet nga Erjon Tola. Ky i fundit, në edicionin e lajmeve në MCN TV, është shprehur se përgatitjet po shkojnë shumë mirë, teksa këtë e ka quajtur si një hap të madh për Federatën e Skive.
Tola foli edhe për suksesin e pak ditëve më parë, kur zuri vendin e parë mes 22 sportistëve në garat e sallave të mbyllura në Dubai, rezultat të cilin e quajti shumë pozitiv.
Intervista:
Para pak ditësh zure vendin e parë mes 22 sportistëve në garat e sallave të mbyllura në Dubai. Çfarë tregon ky rezultat teksa përgatitesh për Lojërat Olimpike?
Rezultati ka qenë shumë pozitiv. Mund të themi se garat në salla të mbyllura, nuk janë kaq të vështira sa jashtë. Niveli ishte shumë i lartë dhe jam shumë i kënaqur për rezultatin.
Pas pak ditësh është një tjetër aktivitet, ku më 18 dhjetor do të zhvillohet Kronplatz Racing Center. Si po shkojnë përgatitjet?
Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jam shumë i kënaqur që për herë të parë në histori do të jetë një kampionat kombëtar dhe do të jetë kampionat për vendet në zhvillim si Shqipëria. Është një hap i madh përpara për Federatën dhe merr kredite të shumta.
Ke përfaqësuar në katër Olimpiada Shqipërinë. Çfarë pret në Olimpiadën e pestë?
Të shikojmë njëherë. Ka qenë një krenari e madhe për mua. Në 2006, si sportisti i parë në sportet dimërore jam krenar dhe do të vazhdoj të jem promotori numër 1 për sportet dimërore.
Jeni disa skiatorë shqiptarë që stërviteni në Itali. Si e parashikon të ardhmen e këtij sporti?
Të ardhmen e shikoj shumë pozitive. Kemi shumë djem të talentuar, në Itali, Francë dhe në botë. Ka shumë familje që investojnë për këtë sport. Jam pozitiv në mendimin për të ardhmen.



