
Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric, foli për mediat, në prag të sfidës së kthimit të turin e parë të Conference League, ndaj Valur.
Ndeshja e parë në Islandë u mbyll në barazim 2-2 dhe shkodranët do të kërkojnë kualifikimin në përballjen në shtëpi.
Brdaric deklaroi se lojtarët janë gati për këtë takim dhe po e presin me padurim.
Jemi të përgatitur për të luftuar. Ka për të qenë një ndeshje e fortë nesër. Javën e kaluar kemi marrë një rezultat të mirë. Ndeshja është gjysmë e përfunduar, por jo komplet. Gruda nuk do të jetë gati për lojë, as edhe Bajrami për shkak dëmtimi, por kemi shumë lojtarë dhe janë të motivuar dhe mezi po presin ndeshjen.
Ne e dimë që nuk ishte e rëndësishme vetëm ndeshja e parë, Valuri është një ekip me shumë eksperiencë. Nesër shpresoj të jetë një atmosferë e zjarrtë në stadiumin tonë.
Nesër ndeshja është 50 me 50, kanë një ekip të mirë, duam t’i përballojmë në nivelin maksimal. Nuk e kuptoj pse UEFA na lejoi të luanim në ato kushte në Islandë, në fushë me bar sintetik, por tani ne luajmë në shtëpinë tonë.

Ndër të tjera, Brdaric deklaroi se duhet një paraqitje pozitive për Shqipërinë në UEFA.
Unë jetoj këtu, në një vend të bukur. Prandaj jam këtu, për njerëzit dhe vendin. Unë ndjehem shumë mirë këtu, me jetën. Arbitri atje e humbi kontrollin e lojës. Duhet të jemi të kujdesshëm në fushë dhe jashtë saj, tifozët duhet të na mbështesin dhe të kemi gjithçka në kontroll. Duhet të japim një pikturë të mirë për Shqipërinë tek UEFA.
Unë nuk jam i kënaqur me barazimin. Jemi duke punuar shumë, për të treguar disa gjëra ndryshe. Mund të bëjmë më mirë, sidomos në minutat e fundit në mbrojtje. E dimë që janë të rrezikshëm në goditjet standarde. Duhet të bëjmë presion për topin, i gjithë ekipi.



