
Orët e fundit Real Madridi është njohur me çmimin e sulmuesit Julian Alvarez , objektiv ky shumë interesant për merkaton vijuese.
Argjentinasi është prezantuar shumë mirë tek River Plate dhe lufta për të në kontinentin e vjetër është ashpërsuar sepse edhe Interi me Atletico Madridin do të luftojnë për ta larguar nga i famshmi ‘’ EL Monumental ‘’ .
Drejtuesit e ‘’ Los Millonarios ‘’ me të marrë këtë lajm janë përgjigjur menjëherë duke deklaruar se e shikojnë të vlefshëm largimin e tij sepse skuadrat në fjalë mund ti plotësojnë kërkesat e presidencës kryeqytetase e cila sipas raportimeve të ‘ Marcas ‘ kërkon 20 milionë euro për ti hapur derën e largimit perlës së sulmit të skuadrës së drejtuar nga Marcelo Gallardo .
16 gola dhe 15 asiste në 40 ndeshjet e fundit me të drejtë e konsiderojnë një ndër lojtarët më të mirë në kampionatin argjentinas në veçanti dhe të Amerikës së Jugut në tërësi . Progresi i bërë është një armë e fortë e tij për tu vënë në radarët e ‘’ Galaktikëve ‘’ të cilët kërkojnë të rrisin produktivitetin në repartin e avancuar dhe manjati Florentino Perez kërkon t’ia bëjë dhuratë në merkaton dimërore e cila është prapa dere .
Karakteristikat dhe mënyra e lojës së 21 vjeçarit janë të përafërta me ato të golashënuesit Gonzalo Higuain , produkt i akademisë së River Plates i cili shkëlqeu në të kaluarën tek ‘’ Los Blancos ‘’.



