
Pa dyshim që ekipi i Newcastles do të jetë një ndër protagonistët absolutë të merkatos së verës .
Fakti se është ekipi më i pasur i botës është nën mëngë i britanikëve, të cilët kanë një shans që s’duhet ta humbasin për të lënë gjurmë në sezonin e ri.
Fitimi i Premier Leagues dhe pjesëmarrja në Champions League janë dy prioritetet e bardhezinjve, drejtuesit e të cilëve kanë deklaruar pesë objektivat e parë në merkato .
Flitet për lojtarë tejet të suksesshëm në elitën europiane .
Portieri Keylor Navas është i zgjedhuri i Eddie Howes për kuadratin e bardhë.
Gardiani nga Kosta Rika nuk ka patur shumë mundësi tek Parisi sepse Gianluigi Donnarumma është aktivizuar si titullar dhe duke marrë parasysh këtë fakt , numri një i ‘’ Los Ticos ‘’ mund të ndryshojë ‘’ Parque de Princen ‘’ me ‘’ St James Parkun ‘’.
As Sven Botman nuk i mungon listës . Për hollandezin ka shfaqur interes edhe Milani sepse e kaluara tek Lille , skuadër me të cilën u shpall kampion i Ligue 1 e bën qëndërmbrojtësin tejet të preferuar nga ekipet e njohura.
Edhe Lucas Paqueta ka impresionuar me rendimentin e shfaqur tek Lyoni. ‘’ Las Urracas ‘’ duan ti dëmtojnë përsëri francezët pasi transferuan Bruno Guimaraesin , lojtar kyç në mesfushën e britanikëve.
Në të kaluarën braziliani tregoi aftësitë edhe tek Milani dhe tek francezët e ka shtuar bindjen e drejtuesve të Newcastles se duhet të jetë një ndër transferimet e merkatos së verës.
Edhe Marco Asensio vijon në një situatë të vështirë në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ për arsye se nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit në lidhje me rinovimin e kontratës .
Spanjolli e humbi rolin e titullarit në skemat e Carlo Ancelottit i cili i lideroi ‘’ Galaktikët ‘’ drejt fitimit të La Ligas dhe Champions Leagues.
25 vjeçari synon të jetë protagonist në të ardhmen dhe në Premier League mund të gjejë komoditetin e munguar tek kryeqytetasit.
Lista përfundon me Dominic Calvert – Lewin. Ofensiva konsiderohet pozicioni të cilit i duhen përforcime të menjëhershme pavarësisht se në sezonin e kaluar nuk shkëlqeu tek Evertoni për arsye të dëmtimeve .
Tek ‘’ The Toffees ‘’ ky problem e ka shoqeruar përgjatë tij edhe pse cilësitë e 25 vjeçarit s’kanë nevojë për koment dhe mund të jetë një vlerë e shtuar e ofensivës së Newcastles që kërkon domosdoshmërisht suksesin në të ardhmen .



