
UEFA vendosi ditën e djeshme disa sanksione ndaj kombëtares së futbollit të Rusisë, mes të tjerash edhe përjashtimin nga faza e grupeve të Ligës së Kombeve, ku siç dihet shorti e kishte vënë në të njëjtin grup me kombëtaren e Shqipërisë, Izraelit dhe Islandës. Për të komentuar pikërisht këto zhvillime të fundit, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Kristo Thoma.
Ky i fundit deklaroi se vendimi për Rusinë ishte i pritshëm, duke parë edhe dënimet e dhëna më parë, pas sulmeve në Ukrainë. Sipas Thoma, tashmë rriten shanset e Shqipërisë për vendin e parë, duke thënë se nga dy rivalët e tjerë, më të vështirë e shikon Izraelin, sesa Islandën, për shkak të formës jo të mirë që këta të fundit kanë treguar.
Ishte një vendim i pritshëm, pasi Rusia, jo vetëm në futboll, ka marrë sanksionet ndaj saj. Një lajm i rëndësishëm ishte edhe zhvendosja e finales së Champions. Pritej ky vendim, por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi. Ky është një favorizim për ne, pasi Rusia është kundërshtari më i vështirë. Islanda është në krizë. Në rritje ka qenë Rusia, teksa ka qenë edhe në “play off” për Botërorit. Rriten shanset për Shqipërinë, që duhet të djersijë në fushë. Unë do e quaja Izraelin më të fortë se Islandën, pasi kanë rritje në vitet e fundit. Ne jemi përballur me këto dy skuadra edhe në të kaluarën.
Shanset për play off rriten. Nëse do të renditemi të parët, play off-in e kemi të sigurt. Edhe nëse marrim vendin e dytë, ka shanse, në varësi të rezultateve të kombëtareve të tjera. Unë mendoj se bazat për të shkuar në Europan, janë grupet, ku do të tentohet vendi i dytë. Liga e Kombeve, është një mundësi edhe për Shqipërinë. Në varësi të rezultateve aty, mund të rezervojmë një vazo të mirë, për shortin e Europianit.



