Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, foli për MCN TV, pas fitores 2-0 ndaj Teutës.
Memelli analizoi ndeshjen, ndërsa tha se golat e pjesës së parë, i dhanë qetësi skuadrës. Gjithashtu ai sqaroi edhe situatën e dëmtimeve. Sipas tij, Balaj është në formën e tij më të mirë.
Nuk kemi qenë në momentin më të mirë. E kam thënë edhe në javën e parë, që nuk ka ndeshje të lehta. Diferencat janë të vogla. Sot djemtë bënë gjithçka për të fituar. E kontrolluam lojën. Shënuam gol shpejt dhe na dha qetësi psiqike. Ishte më e lehtë për të menaxhuar.
Në pjesën e dytë, tentuam ta godasim sërish kundërshtarin. Shpejtësia e topit ishte shumë e mirë nga djemtë. Kishim dëmtime të shumta. Qarri ka një çarje në krahun e tij. Asani, Hakaj, Juric janë jashtë për shkak dëmtimesh. Kjo e vështirëson situatën për të ardhmen. Nuk e kam pasur kurrë skuadrën të plotë në këtë kampionat.
Ngjeshja e madhe me Linfield dhe në fazën përgatitore, kanë sjellë lodhje te lojtarët, çka sjellin edhe dëmtimet tani. Kur të kemi dëmtime, do fusim sa më shumë nga të rinjtë.
Balaj është në momentin e tij më të mirë. Një bravo e madhe për të. Të ulë kokën dhe të punojë sa më shumë. Mos harrojmë, më shumë mund ta ndihmojmë ne Balajn, sesa mund të na ndihmojë ai. Sa më solid të jemi si grup, aq më në pah do dalë individi.
Sot kemi qenë më agresivë nga ndeshja me Laçin. Në të gjitha ndeshjet, përveç Partizanit, kemi shënuar të parët. Sot si skuadër kemi punuar mirë në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në sulm. Fusha e Laçit është e vështirë. Është një tabu që duhet thyer. Duhet bërë në çdo fushë, si sot.



