Kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të luajë ditën e nesërme ndaj Polonisë. Në fjalët e tij portieri kuqezi tha se presioni në sfidën e nesërme nuk do të jetë te kuqezinjtë, por do të jetë te Polonia. Në lidhje me një kualifikim të mundshëm në Botëror, Berisha tha se skuadra mund të arrijë një sukses që në të kaluarën nuk është arritur asnjëherë. I pyetur për rëndësinë e ndeshjes së nesërme dhe me cilën ndeshje nga e kaluara krahasohet, gardiani kuqezi tha se për nga rëndësia takimi i nesërm iu ngjason ndeshjes dikur me Norvegjinë apo edhe Serbinë.
“Për situatën që jemi tani, mund të them se shumë varet edhe nga ndeshja e nesërme. Atmosfera është e mirë, çunat janë të vetëdijshëm për situatën., Tani për tani jemi të folur te ndeshja e radhës. Edhe nëse fitojmë nesër, kemi ende dy lojëra të tjera për të zhvilluar. Herët e kaluara ka qenë më e lehtë, kualifikimi në Botëror është shumë i vështirë.
Mund të bëjmë diçka shumë të madhe, që nuk është arritur asnjëherë në historinë tonë. Presioni nuk duhet të jetë te ne, por te Polonia. Ne kemi bërë gjëra shumë të mira deri tani, por nuk do të thotë se jemi të kënaqur. Në kualifikuese, ose shkon në Botëror ose jo. Ndeshja e nesërme ka një domethënie të madhe për të gjithë dhe shpresoj ta interpretojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Duhet të japim gjithçka nga vetja. E dimë që po përballemi me një skuadër shumë të fortë dhe të gjitha rezultatet janë të mundshme. Duhet të bëjmë ato që na thotë trajneri., Në lojën ndaj tyre, bëmë një ndeshje shumë të mirë, por u ndëshkuam nga gabimet. Të bëjmë gabime sa më pak dhe të jemi të vetëdijshëm që kemi kualitete dhe të fitojmë ndeshjen. Kemi tifozët tanë dhe gjithçka do jetë më e lehtë. Siç e thashë, presioni është te Polonia dhe jo te ne.
Mungesa e Gjimshitit dhe përballja me Leëandoëski? Gjimshiti është nga lojtarët kyç të Kombëtares dhe është një mungesë e madhe për ne. Mendoj se edhe Veseli në ndeshjen e fundit bëri shumë mirë dhe besoj që nesër skuadra të jetë kompakte dhe ata që do të luajnë të bëjnë mirë. Lewandowski është një nga sulmuesit më të mirë në botë aktualisht. Duhet ta ndalojmë si skuadër. Nëse e ndalim, për ne do të jetë sukses.
Ka shumë ndeshje që i ngjajnë sfidës së nesërme. Ndeshja me Norvegjinë apo edhe ajo me Serbinë. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje. Në fund të fundit po luajmë me një skuadër të fortë. Ne duhet të jemi të qetë dhe të bëjmë detyra, me sa më pak gabime. Me kualitetin që kemi mund të marrim rezultat pozitiv.
Goditjet standarde? Jemi munduar që të rregullojmë goditjet standarde. Polonia e fitoi ndeshjen nga goditjet standarde. Me Hungarinë kishim një situatë jo të mirë kur goditën shtyllën. Këtu më shumë është përqendrimi sesa gjërat e tjera. E dimë rëndësinë e goditjeve standarde dhe duhet të jemi më të vëmendshëm. Të jemi të përgatitur dhe t’i japim rëndësi maksimale goditjeve standarde.”, u shpreh Berisha.



