Sulmuesi i Austrisë tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ditën e djeshme, ku pasi shënoi gol ndaj Maqedonisë së Veriut, ofendoi futbollistin shqiptar Ezgjan Alioski nga nëna.
Pas lajmeve të shumta në lidhje me këtë, ka qenë vetë futbollisti, i cili nëpërmjet një postimi ka kërkuar falje publike.
“Unë nuk jam racist dhe nuk do të jem kurrë një i tillë. Ishte një betejë fjalësh gjatë një momenti emocional, nga njëra anë dhe nga tjetra. Shokët e mi, të cilët janë rritur në familjen time, janë nga e gjithë bota. Isha i lumtur, natyrisht kishte fjalë që më lënduan gjithashtu. Ishte thjesht një shkëmbim fjalësh mes emocionesh. Për të gjithë njerëzit që janë ndjerë të prekur: Më vjen keq, më vjen keq, më vjen keq. Le t’i harrojmë të gjitha këto, nuk janë pjesë e futbollit.”, shkruan Arnautoviç.
Në postimin e bërë, përdoret gjuha angleze, por ajo që tërheq vëmendjen është se “Më falni”, sulmuesi e shkruan në shqip.



