Tirana mbyll ditën e nesërme kampionatin me një përballje ndaj Skënderbeut. Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i bardhebluve, Orges Shehi. Ky i fundit ka thënë se skuadra e tij do të kërkojë ta mbyllë kampionatin me një rezultat pozitiv. Gjithashtu durrsaku ka thënë se nuk do të ndryshonte asgjë nga ajo që ka bërë deri tani në krye të Tiranës, duke shtuar më tej se punën e tij mund ta tregojnë pikët e arritura.
“Është ndeshja e fundit. Do kërkojmë që t’i bëjmë një mbyllje dinjtoze kampionatit. Do e respektojmë deri në fund, pa marrë parasysh objektivat. Ndaj Skënderbeut, do mundohemi të fusim në lojë disa lojtarë të rinj, që të kenë disa minuta. Do i shikojmë çfarë janë në gjendje të bëjnë. Duhet ta kuptojnë edhe ata që janë pjesë e skuadrës sonë dhe i pret një e ardhme tek ne. Në ndeshjen e kaluar do kisha dashur të bëja më shumë ndryshime. Lojtarët e rinj krijuan një përshtypje të mirë, janë lojtarë që premtojnë. Ndaj Apolonisë meritonim më shumë, për vetë rastet që kishim, por na penalizoi finalizimi. Shpresoj që nesër të bëjmë më mirë dhe të arrijmë të shënojmë shpejt.
Për të ardhmen më pyesin çdo javë, por për këtë do flasim pas datës 31 maj. Atëherë më përfundon kontrata dhe do kemi zhvillime të reja. Nëse do ketë rinovim të kontratës, normalisht që do ketë ndërhyrje në merkato. Do e ndërtonim skuadrën, sipas asaj që do dëshironim të luanim. Ky është vizioni im, pastaj se çfarë ndodh është kompetencë e klubit. Të flasësh për veten është e vështirë. Kurrë nuk e kam bërë dhe nuk do e bëj asnjëherë. Janë të tjerët që japin vlerësime. Besoj se kemi marrë pikë të konsiderueshme. Skuadra ka qenë gjithmonë në ekuilibër, kompetitive, në çdo ndeshje kemi hyrë për fitore. Në disa ndeshje mund të merrnim më shumë pikë, por nuk ndryshoj asgjë nga ajo që kam bërë me stafin. Në një moment jemi djegur për çështje fati dhe mund të ishim në Europë. Nuk do të ndryshoja asgjë nga ajo që kam bërë. Janë pikët ato që flasin dhe japin mundësinë për të vendosur notë”, u shpreh Shehi.



