Dinamo do të përballet ditën e nesërme me Laçin në “Elbasan Arena”, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të Abissnet Superiore. Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folu trajneri i bluve, Bledi Shkëmbi, i cili vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por më tej tha se Dinamo do të kërkojë maksimumin në ndeshjen e nesërme, pra fitoren.
“Laçi është një kundërshtar i vështirë, por ne jemi Dinamo dhe për emrin e madh që kemi duhet të luajmë për maksimumin. Kam besim se do ta kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje. Pavarsisht se nga Laçi janë larguar disa lojtarë dhe ka ardhur një trajneri i ri, egoja dhe dëshira për të bërë mirë është arma e tyre më e fortë. Emrat ndryshojnë por Laçi është po ai ekip i fortë që mund t’i hapë probleme çdo ekipi.
Për të parë Dinamon më të mirë duhet ende kohë dhe nuk mund ta përcaktoj se kur do shihni fytyrën tonë të vërtetë. Gjithsesi jam i bindur që ekipi do të vijë në rritje.
Me Laçin do të më pëlqente të luanim në Tiranë pasi do të kishim më shumë tifozë në stadium, por mundësitë këto janë dhe ‘Elbasan Arena’ është një fushë me një tapet të shkëlqyer që i përshtatet cilësive tona si ekip.
Ne jemi Dinamo dhe do të kërkojmë të mbajmë lart emrin e madh që ka ky klub. Presidenti ka bërë investime serioze dhe objektivi ynë është ai maksimali.”, përfundoi Shkëmbi.



