
Chelsea mposhti Milanin edhe në “San Siro” me rezultatin 0-2, në një ndeshje që shkaktoi polemika të mëdha.
Penalltia dhe kartoni i kuq ndaj Fikayo Tomori në minutën e 18-të, ka sjellë një reagim të madh në rrjetet sociale, ku nuk mungojnë sulmet për arbitrin Daniel Siebert.
Ditën e sotme, ka folur vetë protagonisti i asaj penallti, Mason Mount, i cili është treguar i sinqertë, duke thënë se u surprizua nga vendimi i arbitrit. Gjithashtu ai u shpreh se penalltia mund të qëndronte, por Tomori nuk ishte për karton të kuq.
Tomori është padyshim shoku im, e njoh prej një kohe të gjatë dhe më vjen keq për atë që i ndodhi. Nuk mendoj se duhej larguar me karton të kuq. Ndoshta ishte penallti, por jo karton i kuq. Unë jam lojtar i ndershëm.
Ai më tërhoqi pak, e ndjeva, por po tentoja të shënoja pasi kisha mundësi ta bëja. Kështu që nuk u rrëzova në tokë, vazhdova të insistoja për të shënuar, por nuk ia dola. Arbitri vërshëlleu dhe akordoi menjëherë penallti.
U surprizova pak nga vendimi i tij, pasi unë nuk isha rrëzuar dhe gjuajta drejt portës. Ishte e vështirë ta shihja Tomorin të largohej me karton të kuq. Ti dëshiron të luash 11 kundër 11 në një sfidë mes dy ekipeve të mira, kështu që ndoshta arbitri e prishi pak ndeshjen.



