
Ermal Tahiri, ish-futbollist, analizoi në emisionin “Skaneri Europian” humbjen e Partizanit ndaj Bate Borisov. Tahiri deklaroi se të kuqtë e kishin në dorë lojën dhe pritej vetëm goli. Sipas tij, Bate Borisov meriton notën 10 për mbrojtjen. “Bate zgjodhi të luajë dhe të presë Partizanin, ndryshe nga ndeshja e parë. Pjesa e parë ishte më shumë se dinjitoze për Partizanin. Ne po prisnim golin nga të kuqtë, duke parë ndeshjen. Nga ana defensive Bate ishte për notën 10. Të gjithë lojën në dorë e kishte Partizani. Në zona të ngushta dhe kur kundërshtari është i mbyllur, duhet durim dhe qarkullim topi. Kemi parë një Partizan ndryshe, nga ana fizike dhe presingu. Mba u tregua një sulmues i vërtetë dhe me personalitet. Cara ishte më mirë në ndeshjen e parë në Shqipëri. Nuk mund ta besoj që Da Silva kishte vetëm Mba, por nuk i pasoi, gjuajti dhe e humbi.”, theksoi Tahiri.



