
Qeveria britanike jep dritën jeshile për shitjen e ekipit të Chelseat. Një fakt i tillë raportohet nga Bloomberg, duke cituar burime.
Vendimi i orëve të fundit do të lejojë kështu kalimin e klubit londinez te konsorciumi amerikan i drejtuar nga Todd Boehly.
Ish-pronari i kompanisë, oligarku rus, por me pasaportë portugeze Roman Abramovich, nuk do të përfitojë asgjë nga shitja.
Të gjitha të ardhurat do t’i dhurohen një bamirësie që kujdeset për viktimat e luftës në Ukrainë.
Miratimi i shitjes prej 4.25 miliardë paund, i jep fund muajve të pasigurisë për tifozët dhe stafin e klubit londinez, të cilin Abramovich u detyrua ta nxirrte në shitje në fillim të marsit, pak para se të sanksionohej si pjesë e reagimit të Britanisë së Madhe ndaj ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.



