Vllaznia në futboll për femra, ka mësuar këtë të premte, kundërshtarin për turin e parë në Champions League. Kampionet e Shqipërisë, do të jenë pjesë e grupit 7, me katër skuadra. Ndeshjet e kësaj faze do të luhen në formën e një mini-turneu dhe shkodranet do të përballen në gjysmëfinale me ekipin kampion të Kosovës, Hajvalinë. Sakaq, ndeshja tjetër e grupit ka rezervuar përballjen mes kampioneve të Islandës dhe Turqisë, Valur – Ankara Büyükşehir Belediyesi Fomget SK. Dy fitueset e dala nga këto dy takime gjysmëfinale do të përballen më tej në finale me njëra-tjetrën dhe vetëm një prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë. Ekipi shkodran ishte pjesë e vazos së skuadrave favorite, duke u renditur në vendin e shtatë, me koeficientin 16.800 dhe duke lënë pas skuadra me emër në Europë, si kampionet hungareze të Ferencvarosh, belget e Anderlecht, ukraineset e Vorskla dhe kështu me radhë. Në raundin e parë të këtij kompeticioni marrin pjesë 41 skuadra, të ndara në 11 grupe, ku 8 prej tyre janë me nga katër skuadra ndërsa 3 prej tyre me tre ekipe. Gjysmëfinalet e grupeve janë programuar të luhen më 6 shtator, ndërsa finalet, nga ku do të dalin edhe fitueset që kualifikohen për në raundin e dytë do të luhen më 9 shtator.



