Gazetari i sportit, Uvil Zajmi, ka folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, për ceremoninë e dhënies së “Topit të Artë”, e cila do të zhvillohet sot në mbrëmje. Zajmi tha se për ato që ka arritur me skuadrën, por edhe në aspektin personal, trofeun individual meriton ta fitojë sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewandowski.
I pyetur për mënyrën si bëhet votimi dhe çfarë ndodh me Shqipërinë, Zajmi tha se veprohet ende si në diktaturë, ku vendoset një person që nuk përfaqëson asgjë.
“Emocionet për ceremoninë e Topit të Artë janë të mëdha. E gjithë bota e pret me interes. Ky është një lloj Nobeli në futboll. Ky edicion është i përfshirë nga asnjë situatë normale, pasi vjet u anulua, si asnjëherë më parë. Të ftuarit në ceremoni janë të shumtë. Nuk është vetëm “Topi i Artë”, por ka edhe trofe të tjerë individualë që do të jepen. Këtë vit, deri në çastin e fundit nuk dihet kush do të jetë fituesi.
Messi fitues? Nëse ka një lojtar që e meriton, është Robert Lewandowski, në trofetë e fituar apo edhe golat e shënuar. Ndonëse Messi kuotohet më shumë, Lewandowski e meriton. Mund të jetë edhe surprizë për këtë trofe.
Votimi? Nga informacioni që kam, votimi bëhet nga persona të paidentifikuar. Dërgohet emri, pa përfaqësuar asgjë. Shqipëria duhet të përfaqësohet nga njerëz me identitet. E ka marrë një person në dorë dhe ai është i lidhur me “France Football”, për të votuar, kjo për shkak se nuk i kushtojnë shumë rëndësi Shqipërisë. Edhe sot vazhdon me diktaturë.”, u shpreh Zajmi.



