
Me blerjen e Eric Garcias , Barcelona vijon me këmbngulje rrugën drejt alternativave që do ti krijojnë lehtësitë e duhura repartit mbrojtës. Katalanasit janë ndalur tek Kalidou Koulibaly . Interesi i tyre për francezin ka nisur prej kohësh por Ronald Koeman i është rikthyer kësaj piste e cila i krijon shumë siguri për të ardhmen . ‘’ Los Cules ‘’ janë të ndërgjegjshëm se ky operacion do të ketë një shkallë vështirësie të konsiderueshme për vetë faktin se 29 vjeçari është një element i paprekshëm për Gennaro Gatusson , por rikthimi i Joan Laportas në presidencë sikur ia ka shtuar entuziazmin kuq e bluve për të provuar alternativa të këtij niveli .
Napoletanët i mbeten besnikë idesë se nuk do të bëjnë asnjë ulje në lidhje me vlerën e kartonit të Kalidou Koulibaly-t që prek 60 milionë eurot , shifër paksa e komplikuar duke ditur problematikat financiare që po përjetojnë spanjollët . Këta të fundit kanë menduar një aksion që mund të rezultojë efikas për të arritur objektivin e shumëpritur dhe janë gati të fusin në valle Samuel Umtitin.
Francezi ka vuajtur shumë dëmtime të cilat nuk e kanë lënë të shijojë momente të rëndësishme dhe një kalim i mundshëm në San Paolo ndoshta do ti jepte shansin për ti dhënë një tjetër ngjyrë karrierës . Me kalimin e Kalidou Koulibaly në ‘’ Camp Nou ‘’ Barcelona do të kishte një vlerë të shtuar në mbrojtje pas Eric Garcias. Lojtari i lindur në Saint -Die-des-Vosges është aktivizuar në 37 takime gjatë këtij sezoni dhe ka shënuar 1 herë por gjasat janë se drejtuesit e Napolit me në krye presidentin Aurelio Di Laurentis do të vënë një barrierë të ashpër sepse është një ndër pikat kyçe të skuadrës .



