
Juventusi është përfshirë nga një kaos i madh, teksa presidenti Andrea Agnelli dhe 10 drejtuesit e tjerë të klubit, kanë dhënë dorëheqjen.
Gjithçka lidhet me akuzat për mashtrim, sa u përket bilanceve financiare të klubit torinez, që rrezikon edhe një dëmim të madh, nëse akuzat konfirmohen.
Pas largimit të drejtuesve, u përfol edhe për një largim të mundshëm të trajnerit Massimiliano Allegri, por kjo nuk do të ndodhë.
Konfirmimi ka ardhur nga John Elkan, administratori i “Exor”, kompani që ka në pronësi aksionet e Juventusit.
“Allegri mbetet pika jonë e referimit në aspektin sportiv dhe bazohemi te ai e lojtarët që kemi në dispozicion, për të vijuar të fitojmë, ashtu siç kemi bërë javët e fundit dhe për të arritur objektivat tona në fushë”, deklaroi Elkan.



