Igli Tare është drejtori i ri sportiv i Milanit. Ai e merr këtë detyrë në një moment jo fort të mirë për ekipin italian. Glendi Tafaj, moderator sportiv në Tring, tha në studion e MCN Informacion se Tare do të përzgjedhë trajnerin dhe do të vendosë për merkaton.
Igli nuk është rastësi sepse ka qenë 14 vjet drejtor te Lacio. Por kalimi te Milan është një hap tjetër i rëndësishëm. Është hera e parë në historinë e futbollit tonë që një drejtues shqiptar shkon në nivele kaq të larta. Përtej tifozerive, të gjithë duam që Igli Tares t’i shkojë sa më mbarë. Fakti që është përzgjedhur do të thotë se ka fituar një betejë të rëndësishme.
Shkon në një vend që nuk e pret një fushë me lule. Lajmi i mirë është se më keq se këtë vit nuk mund të bëhet. Milani pati një drejtor teknik, Maldini, dhe nën drejtimin e tij skuadra arriti të fitonte një titull kampion. Shkoi edhe në gjysmëfinalen e Champions League.
Lëvizja e parë dhe më e rëndësishme është vendosja e trajnerit. Puna ka filluar. Ai e ka nisur që dje. Përfliten disa emra, por opsioni më i prekshëm është Masimiliano Alegri. E rëndësishme është që Igli Tare do të vendosë për merkaton.



