Armando Broja, do të jetë forca e shtuar për Shqipërinë, në ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit. Sulmuesi ka folur para mediave, duke u shprehur se është mirë fizikisht, pasi kaloi Covid-19.
Broja deklaroi se kur erdhi në grumbullim, kishte një bisedë me trajnerin Reja, ndërsa shtoi se luan më mirë kur e nis sfidën si titullar.
I pyetur për të ardhmen, Broja deklaroi se nuk është vendosur akoma, ndërsa shtoi se fillimisht do të jetë pjesë e Chelsea.
Po jam i gatshëm. Fizikisht jam mirë. Kam qenë me COVID përpara. Tani jam rikuperuar. Kam bërë stërvitje personale në Angli disa ditë. Pardje kam ardhur dhe jam stërvitur me ekipin.
Trajneri e përgatit ekipin. E pashë ndeshjen. Unë them që kemi luajtur mirë. Prapë mundemi më shumë si skuadër. Kundër Izraelit do të jetë më e vështirë. Po bëjmë maksimumin dhe shpresoj me 3 pikë. Kam folur me Rejën kur erdha këtu. Më pyeti si jam fizikisht. Në fund është ai që do të zgjedhë 11 futbollistët. Nëse do të më fusë do të jap maksimumin.
Unë them që luaj më mirë si titullar. Po ai është vendim i trajnerit. Por, çfarë bën ai, duhet ta dëgjoj. S’kam presion kur luaj futboll. Jam i ri, por futbolli është gjëja më e bukur për mua. S’është e vështirë. Kënaqem kur luaj dhe jap maksimumin kur futem në fushë.
Të shohim për të ardhmen. Luaj sërish me Chelsea. S’e di, po flas me familjen dhe agjentin tim. Deri tani jam te Chelsea.



