
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave ditën e sotme, në prag të sfidës që skuadra e tij luan ndaj Kukësit ditën e nesërme.
Shehi e quajti si një sfidë të vështirë atë ndaj verilindorëve, por shtoi se në këtë moment Tirana ka vetëm veten rival.
Tekniku bardheblu u shpreh se kërkon nga skuadra që të mos ketë limite, por të përmirësohet vazhdimisht.
Sfida me Kukësin është e vështirë. Të gjitha skuadrat janë me objektiva. Kukësi renditet e treta në klasifikim, është një ekip që është rivale për sa i përket ndërtimit të skuadrës dhe cilësisë. Një ndeshje që ka rëndësi sepse vjen pas pauzës së kombëtareve. Të gjitha skuadrat që luajnë me ekipet që janë afër njëra-tjetrës kërkojnë që të japin maksimumin e tyre, kanë dhe objektivat e tyre. Kampionati i gjatë ka dhe momente jo pozitive, siç mund t’i ketë pasur Kukësi, por edhe ne gjithashtu. Ndeshja në ndeshje ndryshon. Ndryshon strategjia, motivimi dhe psikologjia e lojtarëve, kam përshtypje që nesër na pret një ndeshje e luftuar dhe me cilësi.
Për pikët ne kemi një vazhdimësi të mirë, një ekuilibër në të treja fazat. Nesër mbaron faza e tretë. Për çdo fazë kemi mundur të marrim nga 20 pikë, ndërsa tani në fazën e tretë jemi me 19 për momentin. Kërkojmë gjithmonë që mos të kemi limite, të përmirësohemi. Duam vazhdimësi, sepse statistikat janë gjë tjetër, por e rëndësishme është për ne që ndeshje pas ndeshje të grumbullojmë sa më shumë pikë.
I kemi fatet tona në dorë, pavarësisht se kemi distancë nga kundërshtari ynë më i afërt. Kemi objektivat tona, kemi dhe lojtarë që kanë objektiva personale dhe kolektive dhe kur ndërthuren të dyja së bashku janë akoma edhe më mirë. Me këtë distancë të konsiderueshme që kemi, rivali ynë i vetëm jemi ne. Në këtë moment që jemi, motivimi është shumë i rëndësishëm.



