Finalja e Kupës së Shqipërisë nuk do të luhet më 31 maj, siç ishte planifikuar fillimisht, por do të zhvillohet 1 ditë më para, më 30 maj. Në axhendën e FSHF, shihet se ndeshja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë do të luhet më 30 maj, duke filluar nga ora 19:00 në stadiumin “Air Albania”.
Korçarët pasi siguruan mbijetesën, që deri pak muaj dukej e vështirë dhe shkodranët që kanë luftuar për titullin kampion, do të kërkojnë me çdo kusht fitimin e Kupës së Shqipërisë, për ta mbyllur sezonin me trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend. Nuk është bërë ende e ditur pse ndryshoi data e finales së Kupës, por në ditët në vijim, FSHF pritet të sqarojë gjithçka.



