Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, ka folur në konferencë për shtyp, para ndeshjes mes Erzenin, që do të luhet të hënën.
Josa e cilësoi një ndeshje të vështirë, ndërsa për dëmtimet tha se stabilitetin e ruan me lojtarët që ka në skuadër.
Në lidhje me merkaton, tekniku i shkodranëve, deklaroi se nuk pret ndonjë gjë, por nuk përjashtoi një lëvizje të mundshme në ditët e fundit.
Unë e thashë edhe më përpara që pas Laçit, është normale që skuadra të ketë entuziazëm. Problemi është që të mos na dëmtojë. Nuk mendoj se ndeshja me Bylisin u humb për këtë arsye por për mos përqendrim në momente të veçanta. Duhet të ishim më të kujdesshëm që të godisnim kundërshtarin. Nuk kishim shpejtësinë e duhur për të ndërhyrë në zonën kundërshtare duke pasur edhe vendosje të gabuar.
Ndeshjet janë nga 4-5 ditë, kalendar i ngjeshur. Është një problem që e kemi pasur edhe përpara. Rikuperuam Juric, më saktë e futëm përpara pasi ishim të detyruar. Problemi i dëmtimeve nuk vjen vetëm nga stërvitja por edhe nga sa i kujdesshëm është lojtari për të ruajtur veten.
Çdo skuadër ka problemet e veta, për mua nuk ndikojnë fare. Kërkoj të jenë të gatshëm të gjithë por stabilitetin e ruaj me lojtarët që kam dhe jam i kënaqur me impenjimin e tyre. Nuk dua alibi kur humbim pikë dhe të thuhet se skuadra nuk vlerësoi ndeshjen. Të gjithë skuadrat duan pikë dhe ne duhet të shohim veten tonë.
Merkaton ia kam lënë në dorë klubit. Për mua është çështje e mbyllur. Nuk presim diçka tjetër por nëse dalin këto orët e fundit atëherë të shohim. Duam lojtarë që të jenë menjëherë gati.
Është ndeshje shumë e vështirë, Erzenin e pamë edhe me Tiranën siç na panë ato me Bylisin. Është një ekip me entuziazëm por edhe me cilësi brenda.



