
Në zyrat e ‘’ Santiago Bernabeut ‘’ vijojnë të bëhen llogaritë referuar merkatos së dimrit.
Tek Real Madridi ka ende shumë për të bërë dhe prioritet mbetet natyrisht përforcimi i prapavijës.
Traineri Xabi Alonso e ka bërë zgjedhjen e rradhës dhe flitet për Nico Schlotterbeck, pjesë e Borussia Dortmundit.
Gjermani prej katër vitesh po evidenton se mbetet një ndër më të mirët e ‘’ Verdhezinjve ‘’ dhe interesi i ‘’ Galaktikëve ‘’ ia rrit vlerat.
25 vjeçari e përfundon kontratën me ekipin nga Ruhr në 2027-tën por karriera mund ti ndryshojë tërësisht nëse vendos për të përfaqësuar spanjollët në të ardhmen e afërt.
Megjithatë, drejtuesit e Borussia Dortmundit shpresojnë në qëndrimin e qendërmbrojtësit në ‘’ Signal Iduna Park ‘’ por zgjerimi i listës së pretendentëve është një indikator se mund ti japë fund eksperiencës shumë shpejt.
Duke qenë se ‘’ Los Blancos ‘’ para pak ditësh kanë hequr dorë nga Ibrahima Konate, ishi i Freiburgut konsiderohet një opsion i vlefshëm, sidomos kur flitet për një repart defensiv me shumë ulje-ngritje.
Por, edhe të tjerë pretendentë do të luftojnë fort për nxënësin e Nico Kovac, i cili i ka dhënë siguri kësaj skuadre gjatë sfidave dhe s’duhet harruar edhe eksperienca sidomos në Champions League, një aspekt për tu patur parasysh.
Nëse i referohemi cilësive të Nico Schlotterbeck duhet thënë se është tejet i fuqishëm fizikisht, fitimitar shpeshherë në duelet një kundra një dhe mjaft efikas në zonën e rreptësisë.
Kontributi në sezonin aktual reflektohet me 4 sfida të luajtura, gjatë të cilave ka rezultuar një ndër më të spikaturit.



