
Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, foli për mediat në prag të sfidës me Kukësin në kampionat.
Ahmataj deklaroi se do të jetë ndeshje e vështirë, ndërsa shtoi se ekipi i tij duhet të jetë më i përqendruar.
Sipas tij, Tirana do të jetë në katërshen e parë në fund të kampionatit dhe është i bindur për këtë, për shkak të numrit të lartë të golave të shënuar.
Duke parë dhe formulën e kampionatit, të gjitha skuadrave po i shfaqen oshilacionet. Te Tirana duken pak më të larta këto, por nuk vijnë vetëm nga kampionati. Kishim tre ndeshje jashtë fushe dhe të tre morëm rezultat pozitiv, nuk morëm asnjë humbje. Në shtëpi, duhet të ishim më të përqendruar, më të kujdesshëm, aty pësuam disa aksidente në fillimin e ndeshjes, që ndikuan në vazhdimin e saj.
Duhet më shumë përqendrim, më shumë sakrificë, sepse fanella që ne përfaqësojmë dhe unë e të gjithë futbollistët është një fanellë shumë e rëndë e futbollit shqiptar dhe një fanellë që ka fituar shumë tituj. Kemi folur dhe më përpara për vrullin që ka Tirana në gjenetikën e saj. Ne nuk mund të jemi jashtë kësaj gjenetike që ka klubi.
Me Kukësin të jetë një ndeshje e vështirë, sepse dhe kundërshtari është në një pozicion të vështirë dhe ka bërë lojëra të mira. Ne duhet të jemi të përqendruar për të dalë fitues.
Merkato ka qenë e bllokuar dhe skuadra ka qenë e mbingarkuar në periudhën e parë të kampionatit. Kishim rikthimin e Patrik në janar, rikthimin e Nikqit nga huazimi. Nuk është aq e brishtë sa duket. Kemi lojtarë nga akademia, që disa po luajnë dhe po japin shumë mirë.
Jam shumë i bindur që skuadra e kap katërshen. Tirana në 5 ndeshjet e fundit ka shënuar 15 ose më shumë gola dhe kjo është gjëja më e vështirë në futboll, për të shkuar te goli. Për aspektin mbrojtës na duhet përqendrim, sakrificë që kur të jemi në finale të jemi të kompletuar në të gjitha aspektet.



