
Pro.dr. Artan Shyti, pedagog sportiv, në një lidhje skype në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli mbi rihapjen e basteve sportive dhe të ardhurat që sporti do të marrë.
Sipas tij, njerëzit e sportit, duhet të punojnë që të vendoset në ligj sesa do të marrin, për të mos rrezikuar më vonë.
Shyti tha se duhet mbështetur çdo iniciativë që rregullon ligjin për paratë e basteve.
Në këtë moment duhet të mblidhen të gjitha energjitë e njerëzve të sportit dhe të pretendojnë që me 15% që planifikohet 10-12% të jepen për sportin, ndërsa 3% për gjëra të tjera, që do të parashikojë komisioni. Sporti nëse i ka hyrë kësaj kërkese për bastet për të marrë ndonjë lek, duhet të pretendojë që në ligj, se sa lekë do të marrë.
Duhet pretenduar gjithashtu që të bëhet një ligj i saktë, sepse në të kundërt, sado përqindje të përcaktosh ti, është e kotë, nëse nuk mblidhen lekët. Njerëzit e sportit, duhet të mbështesin çdo iniciativë që rregullon ligjin, që të bëhet efikas, sepse ky është fillimi që nga ky ligj të mblidhet ndonjë lek. Ndarja duhet të jetë e kujdesshme dhe të bëhet nga njerëzit e sportit.
Nuk mund të thuash që qeveria shqiptare ka më pak lekë se ajo e Kosovës dhe meqë nuk kanë lekë, do na hapin bastet. E përsëris, se bastet me këtë ligj, është shumë e vështirë që të mblidhen para dhe ka shumë pak shanse që të mblidhen para për sportin.



