Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa ka folur para mediave, në prag të sfidës së kthimit në Rumani, ndaj Universitatea Craiova. Pas ndeshjes së parë në Shkodër të mbyllur 1-1, entuziazmi te kuqeblutë është i madh.
Megjithatë, Josa në fjalët e tij, tha se lojtarët nuk duhet të mendojnë për kualifikimin, pasi kjo sipas tij do të ishte diçka e gabuar.
Në lidhje me përplasjet e fundit tek ekipi kundërshtar, tekniku i shkodranëve u shpreh se drejtesit kanë investuar dhe me të drejtë duan kualifikimin, ndërsa shtoi se edhe ai njësoj do të vepronte po të ishte në vendin e tyre.
Nuk mund të flas për gjendje të veçantë të futbollistëve. E para e punës jemi shumë të gëzuar që mbërritëm mirë, jemi të gëzuar që po çlodhemi mirë gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu jemi shumë entuziastë sepse gjejmë këtu një stadium bashkëkohor. Kjo është kryesorja për ne, pastaj sa i përket gjendjes së lojtarëve e skuadrës, është një gjendje e njëjtë me para ndeshjes që luajtëm në Shkodër. Mund të them që është një gjendje optimale.
Drejtuesit e Universitatea kanë të drejtë ta kërkojnë kualifikimin se kanë investuar shumë te kjo skuadër, është ekip me traditë. Unë futbollin rumun e kam prekur si futbollist në vitin 1986, kur ekipi im ka luajtur kundër Dinamos së Bukureshtit dhe atëherë ka qenë me shumë traditë. Përveç ekipit kombëtar kishte ekipe shumë të mira si edhe Steaua, ku shtohet edhe Univesitatea që i shkonte mbrapa, ishte edhe Rapidi. Edhe Universitatean e vë në rang të skuadrave të para dhe ka të drejtë të kërkojë kualifikimin, edhe unë të isha në vend të drejtuesve të Craiova do të kërkoja kualifikimin.
Nëse mendojmë për kualifikimin, do të jemi shumë të gabuar. Të shohim çfarë do të bëjmë dhe dita nesër në darkë do të sjellë në konkluzione se çfarë bëmë. Nuk duhet të mendojmë në fillim për kalimin e turit, duhet të jemi me këmbë në tokë duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Futbolli është i çuditshëm, është një sport ku kemi parë të gjithë të papriturat, si nga krahu pozitiv, ashtu edhe negativ. Do të jemi shumë me këmbë në tokë e japim mundësitë tona. Nëse futbollistët janë entuziastë dhe japin mundësitë e tyre, nuk kam çfarë u kërkoj më tepër.
Josa u pyet edhe për udhëtimin e gjatë që bëri skuadra me autobus, por shtoi se nuk ka alibi, duke kujtuar vitin 1986, kur si futbollist, fitoi në Rumani ndaj Dinamos së Bukureshtit.
Nuk ka alibi. Këto ishin kushtet e udhëtimit tonë. Duhet të kemi parasysh që do i futem pak historisë në këtë drejtim. Në vitin 1986, skuadra ime ka luajtur kundër Dinamos së Bukureshtit dhe luanim në Kupën e Kupave dhe ishte turi i parë. Ju e keni shumë mirë parasysh nivelin e Dinamos së Bukureshtit në atë kohë. Ka pasur 9 lojtarë në ekipin kombëtar dhe trajner ishte Mircea Luçesku. Dhe skuadra jonë nuk kishte pretendime për t’u kualifikuar, duke ditur nivelin e kësaj skuadre. Por qëlloi, ndaj e them që futbolli është shumë i çuditshëm, dhe fituam në Tiranë 1-0 me një gabim të portierit dhe kemi ardhur pa asnjë lloj pretendimi. Jemi nisur nga Tirana me autobus dhe me çfarë autobusi! Nuk ka nevojë t’ua them. Kemi fjetur një natë në Sofje, kemi kaluar kufirin në një vend me lumë afër, kemi ardhur në Bukuresht të hënën, kemi fjetur në hotel “Nacional”. Kemi luajtur pas dy ditësh, të mërkurën dhe kemi fituar ne 2-1. Prandaj që këto problemet e udhëtimit nuk janë asnjë gjë.



