
Nesar Aliji është një emër i njohur për futbollin shqiptar pasi ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare si dhe ka luajtur në kampionate mjaft të forta. Mbrojtësi i majtë i Shqipëisë sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës së Virtus Entella në Serie B, dhe tashmë është rikthyer në Zvicër për t’ia nisur nga një kategori amatore, jo për shkak të aftësive të tij, por për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
Në një intervistë emocionuese të dhënë për të përdithsmen zviceriane “BLICK”, Nesar Aliji tregon momentet e vështira në familjen e tij që e detyroi atë të refuzonte shumë oferta gjatë kësaj merkatoje vere.
“Kisha disa oferta, por vendosa që të kthehesha te FC Baden për t’i qëndruar pranë familjes sime. Babai im u diagnostikua me sëmundje të rëndë dhe kështu që në muajt e fundit të jetës së tij doja që të isha pranë tij dhe familjes”, deklaroi Aliji.
Babai i mbrojtësit është ndarë nga jeta të dielën që shkoi, kështu që ai vendosi të tregonte të vërtetën që e detyroi të zbresë në Ligën e Parë Klasike të Zvicrës, që është kategoria e katërt e futbollit të këtij vendi. “Nuk më zhgënjente fakti që nuk po gjeja skuadër gjatë verës, por sëmundja e babait. Kështu që vendosa ta kaloj kohën me atë. Ishin muajt e fundit të jetës së tij”, u shpreh Aliji.



