
Bruno Telushi, u rikthye te Partizani në këtë merkato dhe shpreson që tashmë të fitojë sërish titullin kampion me të kuqtë.
Në fjalët e para pas rikthimit, mesfushori deklaroi se Partizani është familja e tij dhe shtoi se me trajnerin Dritan Mehmeti njihen mirë.
Ai nuk i kurseu fjalët e mira edhe për tifozët e “demave”, për të cilët tha se janë më të mirët në Shqipëri.
Rikthimi ka qenë i bukur, kjo është familja ime. Më ka dhënë ndjesi të mirë dhe shumë kënaqësi. Isha prej shumë muajsh jashtë fushe dhe rikthimin e bëra me kënaqësi. Kam gjetur një ekip me element të rinj. Objektivi dihet që është titulli kampion dhe shpresoj të na ecë sa më mbarë.
Kam punuar me trajnerin më herët dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Dua ta falënderoj sepse ai besoi te unë në këtë rikthim. Aventurës së tij i uroj suksese, të kemi mbarësi në këtë kampionat.
Tifozët e Partizanit janë më të mirë në Superiore. Kanë qenë lojtari ynë i 12. Do të japim maksimumin në çdo sfidë për t’ia shpërblyer lodhjen në tribuna.



