
Sulmuesi Taulant Seferi, foli për mediat, pas grumbullimit më Kombëtaren shqiptare, për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Seferi deklaroi se trajneri i ri ka sjellë harmoni në skuadër dhe ekipi duhet të jetë i përqendruar. Lojtari tha se skuadra është gati për dy ndeshjet e radhës, ku do të synohet fitorja me ccdo kusht. “Sezoni im ka shkuar shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur. Jam 100% i përgatitur dhe jam shumë i lumtur që jam sërish këtu. Besoj se cilido lojtar që vjen në Kombëtare ka dëshirën dhe vullnetin të japë 100%. Jam gati për këto dy ndeshje, por të shohim. Siç e dimë, sot duhet të jemi 100% të përqendruar në çdo ndeshje. Nëse s’jemi të përqendruar, do të kemi probleme. Fokusi ynë është që të japim maksimumin në çdo stërvitje dhe ndeshje. Trajneri i ri na ka sjellë shumë harmoni dhe pozitivitet. Të gjithë çunat jemi së bashku dhe jemi shumë të lumtur. Në ndeshjen me Poloninë nuk kemi pasur shumë kohë për të punuar, por kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Pa marrë parasysh rezultatin, por ndeshja ishte pozitive. Këto ditë po punojmë shumë mirë dhe jemi një grup shumë i mirë. Kemi shumë harmoni dhe bashkëpunim në grup. Sa i përket vijës së sulmit, e vendos trajneri se kush do të luajë, ai ka idetë e tij se kë do të hedhë në fushë që në fillim. Ne na mbetet që të punojmë fort në fushë gjatë javës. Ne sulmuesit jemi për të zgjidhur ndeshjen, sepse ne duhet të shënojmë gola. Pesha është e gjithë ekipit, por pa shënuar gola nuk zgjidhim dot gjë. Kështu që duhet të shënojmë.”, deklaroi Seferi.



