
Përforcimi i mesfushës mbetet një ndër prioritetet për drejtuesit e Bayern Munchenit referuar merkatos dimërore.
Traineri Vincent Kompany ka vënë re jo pak ulje-ngritje gjatë kësaj faze të parë të sezonit, i cili e ka mbështetjen e padiskutueshme të presidentit Herbert Hainer.
Për këtë arsye tek bavarezët pritet një revolucion dhe belgu ia ka vënë syrin Pablo Barriosit. Spanjolli po zhvillon një sezon shumë të mirë tek Atletico Madridi, fizikisht shumë i fortë, me një vizion loje për tu admiruar dhe tejet kompetitiv.
Për Diego Simeonen 22 vjeçari është shumë i rëndësishëm por numri një i gjigandëve të Bundesligës ka përgatitur çekun prej rreth 70 milionë eurosh për shërbimet e tij.
Kontrata me ‘’ Los Rojiblancos ‘’ merr fund në 2030-tën dhe është një ndër më të spikaturit në 11-shen e argjentinasit.
Sigurisht gjermanët nuk do ta kenë të lehtë për ta larguar nga ‘’ Wanda Metropolitano ‘’, i cili gjithashtu njihet edhe për rikuperimin efektiv të topave, rezistencën gjatë sfidave dhe sigurisht shpejtësinë.
Cilësitë e sipërpërmendura e shëndërrojnë Pablo Barriosin në një lojtar ideal për çdo ekip elite por shifra e përcaktuar nga presidenti Enrique Cerezo nënkupton një lloj vështirësie për Bayern Munchenin.
Sezoni aktual është i katerti në kryeqytetin spanjoll dhe puna e bërë pa dyshim meriton vlerësimin maksimal pasi bën pjesë në ekipin e një ndër trainerëve më cilësorë dhe më të paguar në botë.



